Papa Françesku po zhvillon një vizitë në Republikën Demokratike të Kongos, shteti më i madh katolik në Afrikë. Rreth 1 milion njerëz ishin në aeroport për të pritur kreun e kishës katolike. Në ditën e tij të parë të vizitës, në kryeqytetin Kinshasa, Papa Francesku me tone të forta dënoi kolonializmin ekonomik që është shtrirë në të gjithë Republikën. “Pas kolonializmit politik, u lëshua një kolonializëm ekonomik po aq skllavërues. Ky vend, kryesisht i plaçkitur, prandaj nuk arrin të përfitojë mjaftueshëm nga burimet e tij të pafundme. Hiqni duart nga Republika Demokratike e Kongos, hiqni duart nga Afrika! Ndaloni së mbytur Afrikën: nuk është një minierë për t’u shfrytëzuar dhe as një tokë për t’u plaçkitur.” Mesazhi rezonon me popullsinë e Kongos, një vend shumë i pasur, por që rreth 100 milion banorë të tij jetojnë me më pak se 2.07$ në ditë. Në vendin ku dekada konflikte të armatosura kanë vrarë miliona njerëz Papa Françesku foli për një “amnisti të madhe të zemrës” dhe u bëri thirrje të krishterëve të përfshirë në betejë që të dorëzojnë armët. “Çfarë dobie të madhe na bën të pastrojmë zemrat nga zemërimi dhe pendimi, nga çdo gjurmë inati dhe armiqësie”. Papa u kërkoi kongolezëve të mos “grupohen në fise dhe të rrëshqasin në konfrontime” si dhe inkurajoi proceset e vazhdueshme të paqes “në mënyrë që angazhimet të mbahen”. Konflikti i armatosur ka lënë 5.7 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit dhe 26 milionë që përballen me urinë e rëndë, sipas Kombeve të Bashkuara. Duke e krahasuar Republikën Demokratike të Kongos me një “diamant”, Papa bëri thirrje që të ndalet edhe puna skllavëruese e fëmijëve në miniera. Kjo pasi në Kongo ndodhen miniera kobalti që përbëjnë 70% të prodhimit botërorë të mineralit shumë të kërkuar.