Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Danillo Sharanoviq, ka njoftuar në Kuvend se autoritetet e Kosovës ende nuk kanë identifikuar përgjegjësit për incidentet e të shtënave që ndodhën në lokalitetin Hajlla–Shtedim, në korrik 2024 dhe gusht 2025, kur u dëmtuan kabinat e teleferikut në qendrën e skijimit Hajlla.
Sipas tij, Prokuroria në Rozhajë po heton dy incidentet, ndërsa deri tani ka pasur shtatë raste të shtënash nga territori i Kosovës, që kanë shkaktuar shqetësim tek banorët lokalë.
Ministri tha se për ngjarjet është informuar Ministria e Punëve të Jashtme, e cila ka dërguar notë verbale Kosovës më 17 shtator, duke kërkuar identifikimin e autorëve dhe theksuar nevojën për respektimin e kufirit shtetëror.
Më 22 shtator është mbajtur takim me ambasadoren e Kosovës në Podgoricë, ndërsa më 30 shtator ambasadori i Malit të Zi në Kosovë Bernard Çobaj ka diskutuar me drejtorin e Policisë së Kosovës, por pala kosovare nuk ka gjetur të dyshuar dhe ka mohuar se të shtënat kanë ardhur nga territori i saj.
Sharanoviq tha se është arritur marrëveshje për patrulla të përbashkëta dhe vëzhgim ajror përgjatë kufirit, duke theksuar se këto çështje duhet të zgjidhen në frymën e fqinjësisë së mirë.
Deputeti Albin Qeman kërkoi që mediat të raportojnë me kujdes për këto tema të ndjeshme, duke vlerësuar reagimin e institucioneve në Mal të Zi.










