MESATARJA E FATURËS SË TETORIT PËR ENERGJINË ELEKTRIKE NË MAL TË ZI ËSHTË 32,21 EURO

Foto: Ilustrim

Fatura mesatare e tetorit për energjinë elektrike për amvisëritë në nivel të Malit të Zi, duke përjashtuar matëset që nuk janë lexuar në objekte të pabanueshme gjatë gjithë vitit, ka arritur në 32,21 euro, ka njoftuar Elektroekonomia e Malit të Zi.

Sipas të dhënave të EEMZ, amvisëritë në Mojkovc kanë regjistruar konsumin më të ulët, me një mesatare prej 24,65 euro, ndërsa më e larta është shënuar në Nikshiq, ku amvisëritë kanë harxhuar mesatarisht energji elektrike në vlerë prej 37,44 euro.

Sipas strukturës së konsumit, 64,1 për qind e amvisërive do të marrin faturë deri në 30 euro, 16,97 për qind do të paguajnë nga 30 deri në 50 euro, 14,81 për qind nga 50 deri në 100 euro, ndërsa vetëm 4,12 për qind e konsumatorëve kanë shpenzuar mbi 100 euro.

Numri i konsumatorëve që kanë përfituar zbritje prej 38 për qind në energjinë aktive është 157,16 mijë, që përfaqëson 38,53 për qind të amvisërive në Mal të Zi.

Përveç tyre, 49,93 mijë konsumatorë (ose 12,24 për qind) kanë përfituar zbritje prej 21,5 për qind në energjinë aktive, ndërsa 207,1 mijë konsumatorë (50,75 për qind) kanë përfituar një zbritje shtesë prej 6,4 për qind në shërbimet e rrjetit.

Gjatë tetorit, amvisëritë në Mal të Zi kanë konsumuar gjithsej 117,42 milionë kilovat orë (kWh) energji elektrike, 12,47 për qind më shumë se në shtator dhe 17,2 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

SHARE