Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Bojan Bozhoviq, gjatë përgjigjeve në Kuvend, njoftoi se po punohet intensivisht për themelimin e një Gjykate Speciale që do të merret me format më të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke theksuar se beson se ajo do të themelohet shumë shpejt.
Ai shtoi se ekzistojnë tashmë ide për vendndodhjen e një kompleksi të ri gjyqësor dhe se po punohet në përmirësimin e disiplinës procesuale për të shmangur abuzimet e mëparshme.
Bozhoviq gjithashtu paralajmëroi reforma në Ligjin për procedurën penale, me synim rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë.
Deputeti Jasmin Qoroviq ngriti çështjen e incidentit ku një i huaj plagosi një të ri nga Zabjell, duke theksuar se më pas në vend u krijua një atmosferë urrejtjeje etnike dhe fetare, ku ndodhën sulme, djegie lokaleve dhe makinave të shtetasve të huaj.
Ministri Bozhoviq reagoi duke thënë se është e gabuar të etiketohen njerëzit sipas kombësisë apo përkatësisë, duke theksuar se shoqëria duhet të përballet me problemet pa paragjykime.
Ai njoftoi se Ministria ka propozuar që gjuha e urrejtjes të përfshihet si vepër penale në Kodin Penal dhe ftoi deputetët të dërgojnë propozime lidhur me këtë nismë.
Në fund, ministri Bozhoviq theksoi se përgjigja ndaj dhunës nuk mund të jetë dhunë, por veprim institucional dhe ligjor nga ana e shtetit.










