Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ndodhet në një vizitë pune në Mbretërinë e Bahreinit, e para që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, gjatë së cilës u nënshkrua Memorandumi i parë për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve.
Memorandumi përfaqëson marrëveshjen e parë të këtij lloji që përcakton drejtimin e zhvillimit të bashkëpunimit të ardhshëm mes dy vendeve dhe është në përputhje me interesat, planet e përcaktuara dhe vizionin e Malit të Zi për periudhën e ardhshme.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, kryeministri Spajiq u takua edhe me Bordin e Zhvillimit Ekonomik të Bahreinit, i cili përfaqëson një lloj think-tank me qëllim të promovimit dhe tërheqjes së investimeve të huaja direkte.
Me atë rast, përfaqësuesit e Bordit të Zhvillimit Ekonomik e njoftuan kryeministrin për aktivitetet që janë duke i zhvilluar në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe i prezantuan rezultatet e punës në fushën e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike.
Në këtë kontekst, konsiderohet e rëndësishme politika e tërheqjes së personelit të talentuar nga jashtë, e cila përfshin masa nxitëse për strehim, arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.
Suksesi dhe rritja e ekonomisë, siç vlerësuan ata, bazohet fuqishëm në kostot konkurruese të biznesit dhe një mjedis stimulues biznesi, si dhe në digjitalizimin dhe forcimin e shërbimeve publike.
Në takim u vlerësua se për të arritur rezultate sa më të mira, është e nevojshme që përmes kontaktit të drejtpërdrejtë dhe ndërtimit të besimit ndërmjet institucioneve dhe investitorëve të lehtësohet ngritja e shpejtë dhe efikase e kompanive.
Rritja e qëndrueshme ekonomike shkon paralelisht me ndërtimin e një miqësie të përjetshme mes shtetit dhe ekonomisë, ranë dakord bashkëbiseduesit.










