SHTETET E BASHKUARA ME TË GJITHË ATA QË MBËSHTESIN MALIN E ZI SOVRAN DHE CIVIL

Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë të gjithë atyre që mbështesin një Mal të Zi sovran, gjithëpërfshirës dhe qytetar tha Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike. Siç është njoftuar në Twitter të Ambasadës Amerikane në Podgoricë, Escobar ka inkurajuar kryeministrin Krivokapiq që ta mbajë fokusin e Qeverisë në reformat e nevojshme për përshpejtimin e anëtarësimit të Malit të Zi në BE dhe inkurajoi integrimin më të fortë ekonomik të rajonit. Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara mbeten aleatë të përhershëm të NATO-s, në luftën për vlerat dhe idealet më të mëdha demokratike, ka njoftuar në Twitter kryeministri Zdravko Krivokapiq, pas një takimi me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar. Pas takimit, Qeveria njoftoi se kryeministri shfrytëzoi rastin për t’i prezantuar të dërguarit të posaçëm Escobar tre programe zhvillimore të Qeverisë së Malit të Zi: ekonomik “Evropa tani!”, Investimet “Mali i Zi tani!” dhe administrativo-juridik “Evropa këtu!”, duke besuar se zhvillimi ekonomik dhe forcimi i demokracisë janë dy procese të pandashme. Siç është bërë e ditur nga Qeveria, një nga temat kyçe të bisedës ka qenë lufta kundër korrupsionit. Takimi përfundoi me mesazhe respekti reciprok, mirënjohjeje dhe kënaqësie për bashkëpunimin e ardhshëm.

SHARE