STUHIA “KIRK” GODET EUROPËN PERËNDIMORE

Pasi shkaktoi ndërprerje energjie dhe shkuli pemët me rrënjë në të gjithë Evropën Perëndimore, uragani Kirk mbërriti edhe Francën jugore duke sjellë atje shira të rrëmbyeshme, që i morën jetën një marinari në qytetin Port Sete e që i detyruan autoritetet ta vendosnin thuajse gjithë vendin në nivelin portokalli të emergjencës.

Era e fortë nga Mesdheu, në qytetin Port Sete, në Francën jugore, fundosi tre anije të vogla, duke i marrë jetën një marinari e duke dërguar në gjendje kritike në spital, një tjetër.

Rreth 64,000 njerëz në jug të Francës mbetën pa energji elektrike ndërsa disa departamente raportuan se rrugët janë ndërprerë nga përmbytjet.

Pas një takimi të reagimit ndaj krizës në Paris, ministrja e Energjisë dhe Tranzicionit Ekologjik, u tha gazetarëve se qeveria po mobilizonte “të gjitha shërbimet shtetërore” dhe u kërkoi qytetarëve të jenë të kujdesshëm.

Autoritetet vendosën ndërkohë departamentin Seine-et-Marne pranë Parisit në alarm të kuq për përmbytje pasi shiu tejfryu lumin Grand Morin, një degë e Senës, që përshkon kryeqytetin francez.

Meteorologët kishin paralajmëruar se stuhia do të sillte me vete reshje shiu të barasvlefshme me ato të një muaji, në disa pjesë të vendit, përfshirë Parisin.

Probleme ka patur edhe në Portugali, ku më shumë se 400 pemë u rrëzuan vetëm në qytetin e Portos, në veri.

Shumë automjete u dëmtuan ndërsa u ndërprenë edhe shërbimet hekurudhore.

Edhe në Spanjë ishte lëshuar më herët alarmi për mot të keq në veri dhe veriperëndim të vendit. Galicia, në veriperëndim, raportoi për rrugë të bllokuara nga rrëshqitjet e dheut dhe pemët e shkulura me rrënjë në zonat urbane.

SHARE