PRESIDENTI META VLERËSON FIGURA TË SHQUARA ATDHETARE, ME RASTIN E 100-VJETORIT TË LUFTËS SË KOPLIKUT

Gjaku i heronjve dhe i dëshmorëve të Atdheut nuk bëhet ujë! Vetëm demokracia dhe sovraniteti i popullit janë garancia për mbrojtjen e përhershme të sovranitetit të Atdheut dhe të interesave kombëtare.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte i pranishëm në ceremoninë përkujtimore të 100-vjetorit të Luftës historike të Koplikut, të zhvilluar nën kujdesin e veçantë të Kreut të Shtetit, duke nderuar heroizmin dhe sakrificat sublime të 77 dëshmorëve të kësaj beteje heroike për liri dhe mbrojtje të trojeve shqiptare nga coptimi.

Me këtë rast historik Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Deli Meta Çunmulajn (pas vdekjes)“Për veprimtarinë e tij atdhetare si komandant i shquar në Luftën e Koplikut (1920).  Me urtësi, trimëri,  pushkë dhe penë udhëhoqi luftëtarët e Hotit dhe Malësisë së Madhe në betejat për pavarësi dhe  mbrojtjen e trojeve kombëtare”.

Ndërsa Zef Prelë Martinin (pas vdekjes) Presidenti Meta e nderoi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” si Birit të shquar të Hotit e Malësisë së Madhe, i cili nuk kurseu jetën e vet për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare. Legjendë e heroizmit, qëndresës e trimërisë në Luftën e Koplikut (1920). Shembull i lartë vetëmohimi e atdhedashurie për gjithë shqiptarët, veçanërisht brezat e rinj”.

Gjithashtu me Dekoratën e Artë të Shqiponjës u vlerësua edhe Sulejman Bajram Ramçaj, me të njëjtin motivacion edhe Luc Nishi Dedvukaj si: “Atdhetarin e ushtarakun e shquar që luftoi heroikisht dhe u flijua në Luftën e Koplikut (1920). Prijësit të luftëtarëve të Malësisë së Madhe në betejat e shumta për moscopëtimin e trojeve shqiptare, bashkimin kombëtar dhe mbrojtjen e shtetit shqiptar”.

Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti Meta çmoi zotin Rrok Gjelaj Për mjeshtërinë e lartë artistike në interpretimin e shumë këngëve dhe melodive popullore, në ruajtjen dhe përsosjen e vlerave të traditës e trashëgimisë kulturore të Malësisë së Madhe. Për  shërbimin e çmuar dhe aftësitë drejtuese në dobi të interesit të bashkëqytetarëve”.

SHARE