Lëvizja Vetëvendosje e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli për rrëzimin e diktatit.
Këto ishin reagimet e para ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten vendosi që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta zgjedhin kryetarin e ri përmes votimit të hapur, ndërsa i njëjti kandidat mund të votohet vetëm deri në tri herë. Sipas Kushtetueses, konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.
Sipas Vetëvendosjes, njoftimi i Kushtetueses “përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe se është “në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”.
“Rregullat e reja të paralajmëruara nga Gjykata Kushtetuese, nëse nuk janë në Kushtetutë dhe as në Rregulloren e Kuvendit, nuk mund të jenë në asnjë aktgjykim”, thuhet në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Gjykata nuk e ka të drejtën që të krijojë norma të reja juridike apo të imponojë rregulla që nuk kanë bazë në Kushtetutë”, tha ajo.
Sipas LVV-së, aktgjykimi që pritet të dalë do ta cenojë rëndë ndarjen e pushteteve. “Rast i paprecedentë dhe ndërhyrje flagrante në kompetencat e Kuvendit”.
“Ky është një paralajmërim serioz për rrezikun e një pushteti juridik të pakontrolluar, që në vend të kontrollit të pushteteve të tjera, vetë bëhet burim i kapjes institucionale”.
LVV nuk tregoi nëse do ta respektojë apo jo vendimin.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se me këtë vendim të Kushtetueses, u vërtetuan qëndrimet e partisë së tij, që LVV-ja “e ka mbajtur peng Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë Kushtetutës”.
Sipas tij, ky vendim është fitore për rendin kushtetues.
“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tonë”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e cilësuar si “fitore të madhe për demokracinë”.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se me këtë vendim u vërtetua se LVV-ja shkeli Kushtetutën, për shkak se ndryshoi rendin e ditës dhe insistoi në votim të fshehtë për kryeparlamentarin.
“Fatkeqësisht, Kosova humbi kohë. Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë – gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje”, shkroi ai.
Ardian Gjini nga AAK-ja tha se me vendimin e Kushtetueses, “fitoi demokracia, u rrëzua diktati”.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini tha se nuk mund të abuzohet në pafundësi me propozimin e vetëm një kandidati.
“Shteti nuk i nënshtrohet një individi”, shkroi ai.









