Foto: Ilustrim
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka deklaruar se është e gatshme të zgjidhë çështjet e hapura me Kroacinë nëpërmjet një dialogu të sinqertë dhe konstruktiv.
Kjo vjen si përgjigje ndaj një note proteste të Zagrebit, lidhur me vendimin e Malit të Zi për prodhimin e emblemave me figurën e anijes shkollore ‘Jadran’, që Kroacia e konsideron si pronë të sajën.
Ministria ka rikujtuar se është arritur marrëveshje që të krijohen komisione të përbashkëta për trajtimin e këtyre çështjeve.
Po ashtu, theksohet përkushtimi i shtetit për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore dhe vlera të përbashkëta evropiane dhe euroatlantike.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar për disa çështje, përfshirë: pronësinë e anijes “Jadran”, kompensimin për të burgosurit në kampin Morinj, emrin e një pishine në Kotorr, si dhe miratimin e një rezolute për gjenocidin në Jasenovac nga Parlamenti i Malit të Zi.
Në një note proteste, Kroacia ka përmendur edhe një pretendim se Mali i Zi i detyrohet asaj mbi 2 miliardë dollarë amerikanë, pa dhënë detaje se për çfarë pasurie ushtarake bëhet fjalë.
Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë konfirmim zyrtar për ekzistencën e një borxhi të tillë.










