Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Lideri i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, tha për gazetën “Dan” se Forumi Shqiptar do të dal në zgjedhjet lokale në Podgoricë në mënyrë të pavarur përmes veprimit afirmativ ose në një koalicion ku tashmë kemi një ftesë nga dy subjekte për të biseduar dhe për çfarë do të vendosim në periudhën e ardhshme.
Gjeloshaj theksoi se rezultati i mirë në Podgoricë nga zgjedhjet e mëparshme parlamentare i inkurajon edhe më shumë që votuesit e Forumit Shqiptar kanë zgjedhjen e tyre.
“Ne në Forumin Shqiptar presim që zgjedhjet e jashtëzakonshme vendore në kryeqytet të zhvillohen në një atmosferë paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të këndshme, si dhe të respektohen të gjithë parametrat ligjorë-elektoralë, demokratikë, europianë dhe perëndimorë. Vetëm një proces zgjedhor që u përmbahet këtyre kushteve, pa ndërhyrje të jashtme, fabrikim aferash apo përhapje propagande, mund të formojë një shumicë që ka legjitimitet të plotë të marrë përgjegjësinë për punën në drejtim të zhvillimit të Kryeqytetit të Malit të Zi. Fatkeqësisht, së fundmi kemi parë se në disa komuna edhe pas zgjedhjeve lokale nuk mund të krijohet një shumicë parlamentare lokale, ku me këto “akrobaci politike” populli humb shpresën në rëndësinë e votës, dhe shuhet legjitimiteti elektoral i kandidatëve të mundshëm për formimin e shumicës. Prandaj, shpresojmë që me zgjedhjet në Podgoricë të hapet një kapitull më i qartë demokratik, ku zëri dhe vullneti i popullit do të respektohet duke formuar një shumicë që do të marrë përsipër detyrën e menaxhimit të kryeqytetit,” tha Gjeloshaj.
Gjeloshaj thotë se si në çdo proces të deritanishëm demokratik, qoftë në nivel shtetëror apo lokal, kontributin e tyre do ta japin edhe shqiptarët, të cilët, siç thekson ai, do të jenë gjithmonë në koordinim të vazhdueshëm me politikën e BE-së dhe me aleatët tanë perëndimorë.
“Për sa i përket agjendës evropiane dhe politikës së brendshme, në këto zgjedhje presim që puna e vyeshme e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi të reflektojë dhe të vlerësohet pozitivisht në drejtim të marrjes së IBAR-it, menaxhimit të ekonomisë, integrimit dhe faktorizimit të shqiptarëve, kufizimit të marzheve në ushqimet bazë e shumë të tjera. Forumi Shqiptar do të vazhdojë të avokojë për zbatimin e programit të tij në çdo zgjedhje, ku shkruhet saktësisht se cilat janë synimet tona dhe çfarë bën Forumi Shqiptar. Qëllimi ynë është një qytetar progresiv, ekonomikisht i fortë, me orientim evropian, pa përçarje politike apo paragjykime etnike dhe këtë mund ta arrijmë vetëm nëse të gjithë së bashku punojmë në drejtim të zhvillimit më të shpejtë social dhe ekonomik. Le të dëgjohet zëri i popullit dhe le të fitojnë ata që realisht punuan për ngritjen e standardit të jetesës së qytetarëve dhe zgjidhjen e disa problemeve prej dekadash, dhe populli, përmes zgjedhjeve të ndershme, demokratike dhe të lira, të dijë më së miri të zgjedhë dhe të vlerësojë,” theksoi Gjeloshaj.









