Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Përfaqësuesit e pushtetit dhe një pjese të opozitës parlamentare në Mal të Zi nënshkruan një marrëveshje, të arritur me ndërmjetësimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Podgoricë, e cila parashikon ndryshime në ligjet për Policinë dhe Agjencinë për Siguri Kombëtare, si dhe një konsensus më të gjerë për emërimet në institucionet kyçe.
Sipas marrëveshjes, deri në fund të korrikut do të formohet një trup punues që do të monitorojë zbatimin e ligjeve për Policinë dhe Agjencinë për Siguri Kombëtare, ndërsa po brenda këtij muaji synohet miratimi i ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor dhe në ligjet për sigurinë.
Procedurat për ndryshimet kushtetuese duhet të përfundojnë deri më 4 shtator 2026.
Marrëveshja parashikon gjithashtu që palët të mos nisin në mënyrë të njëanshme ndryshime në ligjet zgjedhore para zgjedhjeve të vitit 2027, si dhe krijimin e një mekanizmi për monitorimin e fushatës zgjedhore dhe parandalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore.
Përfaqësuesit e opozitës e vlerësuan marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për përparimin e Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se shumica e kërkesave të tyre janë përfshirë në dokument.










