PROTESTA NË TIRANË VIJON PËR TË 37-ën DITË

Protesta e qytetarëve në Tiranë ka vijuar për të 37-ën ditë radhazi.

E nisur fillimisht kundër investimit në Zvërnec, ajo është shndërruar në një lëvizje me kërkesa më të gjera politike dhe institucionale.Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar largimin e klasës së vjetër politike, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë kabinetit qeveritar, si dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor.

Në deklaratën e lexuar gjatë protestës u kërkua hartimi i një Kushtetute të re, ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe në ligjin për financimin e partive politike, si dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në maksimumi dy mandate.

Protestuesit kërkuan gjithashtu shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjit për trashëgiminë kulturore, “Paketës së Maleve” dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.

Organizatorët theksuan se protesta do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave, ndërsa gjatë tubimit u ngritën edhe shqetësime për arrestimet e protestuesve në demonstratat e mëparshme. Pas qëndrimit para Kryeministrisë, marshimi vazhdoi drejt Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

SHARE