Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kuvendi i Malit të Zi miratoi me 74 vota pro dhe 3 kundër nisjen e procedurës për ndryshimin e Kushtetutës, që ka të bëjë me Këshillin Gjyqësor, Këshillin e Prokurorisë dhe Bankën Qendrore të Malit të Zi.
Kundër votuan vetëm tre deputetët e Partisë Demokratike Popullore.
Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, njoftoi se Komisioni Kushtetues do të përgatisë sa më shpejt tekstin e amendamenteve, ndërsa Kuvendi pritet të votojë për to më 9 korrik.
Pas kësaj do të zhvillohet një debat publik që do të zgjasë të paktën një muaj, përpara miratimit përfundimtar.
Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e reformave të nevojshme për mbylljen e Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, një nga kapitujt kyç në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja mes pushtetit dhe opozitës parashikon gjithashtu përpjekje të përbashkëta për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe reforma të tjera në sistemin e drejtësisë.
Kryeministri Millojko Spajiq e vlerësoi marrëveshjen si një dëshmi të pjekurisë demokratike, ndërsa zyrtarët qeveritarë theksuan se bëhet fjalë për një hap vendimtar në rrugën evropiane të Malit të Zi.










