KUVENDI I KOSOVËS MIRATON REZOLUTËN PËR GJENOCIDIN SERB NË SREBRENICË

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë. Rezoluta u iniciua nga koalicioni boshnjak ne Kuvendin e Kosovës, Vakat. Deputetët e Listës Serbe lëshuan sallën para kësaj pike të seancës. Në bazë të rezolutës, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera. Rezoluta po ashtu fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë të Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se miratimi i rezolutës për Srebrenicës është “veprim fisnik dhe i duhur”. Ai tha se kjo ishte masakra më e madhe në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe sipas tij, duhet të bëhet dënimi i krimeve të tilla gjenocidiale, me qëllim që veprime të tilla të mos përsëritën në të ardhmen. Sipas Kurtit, padia për gjenocid ndaj Serbisë, që po përgatit Kosova, do të kontribuojë që në të ardhmen të mos përsëriten ngjarje siç ndodhën në Srebrenicë. “Ata që nuk e pranojnë fajin e nuk kërkojnë falje, thellë në zemër besojnë se kanë pasur të drejtë”, tha Kurti. Lista Serbe tha se deputetët e saj e lëshuan sallën plenare, pasi kundërshtuan që t’i japin “legjitimitet qëllimeve të institucioneve të Kosovës për t’ia ngjitur popullit serb etiketën e gjenocidit”. Sipas kësaj partie, “rezoluta e propozuar nga deputetët boshnjakë dhe e mbështetur nga të gjithë deputetët shqiptarë, njëanshëm dhe pa asnjë bazë sulmon popullin serb, shtetin serb dhe kërcënon marrëdhëniet ndëretnike”.

SHARE