Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të kalojë në votim projektligjin që synon rritjen e pagës minimale. Për këtë pikë të rendit të ditës, të hënën nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm. Deputetët e opozitës – Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – nuk kanë arritur të çojnë përpara mocionet për shtyrje të projektligjit dhe si përgjigje kanë lëshuar sallën duke pamundësuar votimin. Abelard Tahiri, Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se këtë shtyrje po e kërkojnë duke pasur parasysh protestën e veteranëve. “Ne nuk jemi për të tensionuar situatën, por për të zgjidhur probleme. Kërkojmë që të shtyhet, të mos votohet fare në këtë pikë”, ka thënë Tahiri. Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje që është në pushtet, Armend Muja, tha se ky legjislacion synon që të adresojë problemet e asaj pjese të shoqërisë që paguhen më pak se veteranët. “Paga minimiale është instrument i tregut të punës. Ky prioritet i dedikohet vajzave dhe djemve që punojnë dhe e kanë pagën mes 130 deri 170 euro. Ne po themi fillimisht na lejoni që të adresohen kushtet e jetesës të kësaj shtrese shoqërore që paguhen shumë më pak se sa veteranët”, tha Muja. Projektligji i propozuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të pagës minimale është kundërshtuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët më herët gjatë ditës kanë nisur protesta para Kuvendit të Kosovës. Arsyeja për pakënaqësinë e tyre është mospërfshirja e pensioneve të tyre në rritjen e pagës minimale. Projektligji i miratuar në Qeverinë e Kosovës, dhe që tani pret miratimin e Kuvendit, parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto. Momentalisht, paga minimale në Kosovë është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.