Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Financave i Malit të Zi, Novica Vukoviq, deklaroi për Bloomberg se Mali i Zi po hyn në një fazë vendimtare të integrimeve evropiane, me mbështetje të fortë nga partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet financiare.
Ai theksoi se Komisioni Evropian vlerëson përpjekjet reformuese të Malit të Zi dhe tregon gatishmëri për zgjidhje pragmatike, duke forcuar perspektivën për anëtarësim në BE.
Sipas tij, objektivi për t’u bërë pjesë e BE-së deri në vitin 2028 është realist, ndërsa pritet që kapitujt e negociatave të mbyllen deri në fund të vitit.
Vukoviq nënvizoi se qeveria po ndjek një politikë ekonomike të përgjegjshme, me fokus në stabilizimin e financave publike dhe financimin e projekteve zhvillimore, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Ai shtoi se mbështetja e vazhdueshme nga institucionet financiare rrit besueshmërinë e politikave shtetërore dhe krijon kushte për rritje më të madhe ekonomike dhe stabilitet politik.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se synohet ulja e nevojës për borxh të ri duke filluar nga viti 2027 dhe krijimi i një rezerve fiskale.
Vlerësime pozitive për ekonominë e vendit kanë dhënë edhe agjencitë Moody’s dhe Standard & Poor’s, të cilat kanë përmirësuar perspektivën e Malit të Zi falë disiplinës fiskale dhe stabilitetit makroekonomik.
Në fund, Vukoviq theksoi se Mali i Zi po ndërton një ekonomi të qëndrueshme dhe të besueshme, të gatshme për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.










