Agjencia për ushqim e Kombeve të Bashkuara tha se sipas të dhënave në prill, çmimet e ushqimeve u rritën për herë të parë brenda një viti.
Por, megjithatë çmimet janë 20 për qind më të ulëta krahasuar me muajin mars të vitit 2022, kur u shënua rekord i rritjes së çmimeve pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Indeksi i çmimeve të Organizatës për Ushqim dhe Agrikulturë (FAO), muajin e kaluar ishte mesatarisht 127.2 pikë krahasuar me 126.5 pikë në mars.
Kjo agjenci tha se rritja e çmimeve në prill është për shkak të rritjes së çmimeve të sheqerit, mishit dhe orizit, që kompensuan rënien e çmimeve të drithërave, bulmetit dhe vajit ushqimor.
“Teksa ekonomitë rimëkëmben nga ngadalësimi i rritjes ekonomike, kërkesat do të rriten, duke rritur presionin edhe ndaj çmimeve të ushqimeve”, the ekonomisti në FAO, Maximo Teroro.
Rritja e çmimit të sheqerit, që në mars arriti në 17.6 për qind, ishte rritja më e madhe e regjistruar që nga vitit 2011. FAO tha se rritja e çmimit të këtij produkti lidhet me furnizimet e pakta për shkak të rënies së prodhimit në Indi dhe Kinë.
Ndërkaq, sipas indeksit, çmimet për mish u rritën për 1.3 për qind nga muaji në muaj, ndërkaq çmimi i vajit ushqimor ra për 1.7 për qind. Por, rritje të madhe kanë shënuar çmimet e orizit.
“Rritja e çmimeve të orizit është mjaft shqetësuese dhe është thelbësore që nisma e Detit të Zi të ripërtërihet, për të shmangur edhe një rritje tjetër të çmimeve të grurit dhe elbit”, tha Torero.
Ai iu referua marrëveshjes që lejon eksportin e drithërave ukrainase përmes porteve të Detit të Zi, që Rusia bllokoi pas pushtimit të Ukrainës.









