RAMA NË KONFERENCËN E DONATORËVE PËR UKRAINËN: SHQIPËRIA SYNON TË KONTRIBUOJË ME 1 MILION EURO

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në konferencën e donatorëve për Ukrainën, në Varshavë të Polonisë, duke deklaruar se Shqipëria synon të kontribuojë me 1 milion euro.  Gjatë fjalës së tij në sesionin e posaçëm, Rama ka theksuar se po japin kontributin për organizimin e takimeve dhe hartimin e dokumenteve lidhur me luftën dhe në mbështetje të plotë të Ukrainës. “Në aspektin dypalësh kemi qenë nga të parët që kemi dhënë kontributin tonë me municione për forcat e armatosura të Ukrainës dhe në të njëjtën kohë kemi miratuar të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor për të lejuar qytetarët ukrainas që të vijnë në vendin tonë për periudhat kohore për të cilat kanë nevojë ose për të cilët duan të rrinë. Në këtë konferencë donatorësh Shqipëria synon të kontribuojë me 1 milion euro”, u shpreh Rama. Konferenca e donatorëve për Ukrainën, bashkëorganizohet nga kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki dhe kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, në partneritet me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive i dedikohet qëllimit për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta.

SHARE