KURTI DHE VUÇIQ NË DARKË JOFORMALE NË BERLIN, NËN ORGANIZIMIN E EMISARIT LAJÇAK

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka pritur në një darkë joformale kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Berlin të Gjermanisë. Takimi i Lajçakut me dy liderët e Ballkanit Perëndimor erdhi pasi ata fillimisht u takuan ndaras me kancelarin gjerman Olaf Scholz. “Mirëpresim mundësinë për diskutime rreth dialogut, në një darkë joformale, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, në Berlin. Faleminderit Qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimin në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”, shkroi Lajçak në rrjete sociale duke bërë publike edhe një fotografi nga darka. Pas Lajçakut, kryeministri Kurti në reagimin e tij ka shkruar se agresioni i fundit rus në Ukrainë ka shtuar mosmarrëveshjet midis palëve, por Kosova mbetet e përkushtuar për procesin e dialogut. “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj dialogut parimor me Serbinë, për një marrëveshje që ka në qendër njohjen e ndërsjellë. Raundi i sotëm u zhvillua në Pallatin Borsig në Berlin, gjatë një darke pune”, shkroi Kurti. Më vonë pas këtij takimi, në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, kryeministri Kurti tha se qëndrimet e “presidentit të fqinjit tonë verior” janë të vjetra, megjithëse insistimet e tij janë për një marrëveshje të obligueshme që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve duke pasur në qendër njohjen reciproke.

SHARE