Rita Ora lirohet nga ‘kthetrat’ e kompanive menaxhuese, merr në pronësi të plotë muzikën e saj

Rita Ora ka nënshkruar një marrëveshje globale me kompaninë muzikore BMG që i jep asaj pronësinë e të gjitha këngëve të saj të ardhshme.

Ylli me prejardhje nga Kosova, e bëri këtë njoftim në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, duke thënë se ishte “fuqizuese të dinte” se ajo kishte në kontroll tashmë muzikën e saj, shkruan BBC.

Ora kishte nënshkruar më parë kontratë me kompaninë muzikore Atlantic Records, në pronësi të së cilës ishin 10 hitet e saj më të mira, duke përfshirë këngët e famshme “Anywhere” dhe “Let You Love Me”.

Foto: Rita Ora/Instagram

Para kësaj, ajo paditi kompaninë e famshme “Roc Nation” të reperit Jay-Z duke kërkuar lirimin nga kontratat me këtë label, nën arsyetimin se kishte mbetur “jetime” nga studioja në fjalë.

Kompania e ndihmoi atë të niste karrierën e saj solo në vitin 2012, por Ora ndërmori veprime ligjore tri vjet më vonë, duke thënë se karriera e saj ishte bërë një prioritet i ulët, pasi “Roc Nation” ndoqi interesa të tjera në menaxhimin e sporteve dhe shërbimin muzikor Tidal.

/Telegrafi/

SHARE