Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, në kuadër të vizitës zyrtare në Uashingon, ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtar të ndryshëm. Gjatë takimeve të rëndësishme në Uashington, kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, u takua me Haley Stevens, U.S. representative nga Distrikti i 11-të i Kongresit të Miçiganit. „Me kongresmenen fola për ecurinë e begatë të komunitetit tonë në Amerikë dhe veçanërisht në Michigan, ku shohim se edhe gjenerata e dytë e shqiptarëve po arrin sukses, duke arritur majat më të larta të skenës politike, shoqërore dhe ekonomike amerikane. Shumë prej tyre filluan të investojnë edhe në Malësi, sepse komuna jonë është kthyer në një destinacion të preferuar ndërtimi dhe zhvillimi. Vetë fakti që për 4 vite kemi rritur buxhetin me 512%, duke i shtuar kësaj edhe hapjën e 4 fabrikave, thotë shumë,“ theksoi Gjeloshaj. Kongresmenja vlerësoi punën e komunës së Tuzit dhe mbështeti të gjitha kërkesat legjitime të popullit shqiptar në Mal të Zi. Gjeloshaj tha se gjithmonë me krenari theksojnë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe miqësinë shekullore me popullin amerikan, e cila është fuqizuar edhe më tej përmes aktiviteteve të diasporës sonë.


Kryetari Gjeloshaj u takua edhe me Lisa McClain, U.S. representative nga Distrikti i 9-të i Kongresit të Miçiganit si dhe Albanian Issues Co-Chair në Kongresin amerikan. Kongresmenja McClain, si një mike e madhe e popullit shqiptar, në takim dha mbështetjen e plotë për të gjitha idetë, projektet dhe programet. Kongresmenen McClain kryetari Gjeloshaj e njoftoi me rrethanat politike dhe shoqërore në Mal të Zi, me theks në integrimin institucional të shqiptarëve, forcimin e pozitës dhe standardit të tyre të jetesës. Kongresmenja përshëndeti zhvillimin e komunës së Tuzit përmes realizimit të shumë projekteve kapitaleve, si dhe përkushtimin për vlerat demokratike, perëndimore dhe amerikane.


Po ashtu, gjatë vizitës zyrtare në Uashington, Gjeloshaj u takua me senatorin Gary Peters, Albanian Issues Co-Chair në Senatin amerikan. Gjeloshaj i prezantoi senatorit Peters aktivitetet kryesore të komunës së Tuzit si dhe planet e ardhshme. „Ne jemi krenarë që, për 4 vite, rrënjësisht e kemi ndryshuar dhe zhvilluar Malësinë. Tuzi dikur ka qenë sinonim i emigrimit dhe keqmenaxhimit, ndërsa sot Komuna e Tuzit është sinonim i suksesit dhe zhvillimit, hapjes së fabrikave dhe vendeve të reja të punës, modernizimit të infrastrukturës, zhvillimit të sportit dhe kulturës, si dhe mbështetjes gjithëpërfshirëse për bujqësinë dhe blegtorinë,“ tha Gjeloshaj. Senatori Peters i inkurajoi që të vazhdojnë kështu edhe në të ardhmen, me mbështetjen maksimale për lidhjen dhe bashkëpunimin më të mirë të mundshëm të popujve tanë përmes investimeve, projekteve, aktiviteteve kulturore e arsimore e shumë të tjera. „Jemi vërtet të nderuar që SHBA-ja, si aleati ynë më i madh, ka pasur gjithmonë një derë të hapur dhe një dorë të shtrirë bashkëpunimi për të gjitha kërkesat dhe nevojat tona,“ theksoi Gjeloshaj.